Secondary Adv

100 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore për Ura të Qëndrueshme, por urat po shemben

Ndërsa Shqipëria ka në zbatim një program 100 milionë dollarë me Bankën Botërore për rritjen e rezistencës së urave, shembja e Dragostunjës nxjerr në pah dobësitë e sistemit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes.

Një program 100 milionë dollarë në zbatim

Shembja e urës së Dragostunjës në aksin Librazhd–Prrenjas nuk është thjesht një incident lokal, por një sinjal alarmi për gjendjen e një pjese të konsiderueshme të urave në rrjetin kombëtar. Që prej vitit 2023, Shqipëria po zbaton programin “Building Resilient Bridges”, një qasje shumëfazore me financim 100 milionë dollarë nga Banka Botërore.

 

Faza e parë, me vlerë 55 milionë dollarë, ka nisur në vitin 2023, ndërsa faza e dytë prej 45 milionë dollarësh parashikohet të fillojë në 2027. Objektivi është rritja e rezistencës së urave ndaj ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore, si dhe përmirësimi i menaxhimit të aseteve rrugore.

 

Një problem i njohur prej vitesh

Sipas dokumenteve të projektit, mbi 30 ura në Shqipëri konsiderohen në rrezik të menjëhershëm dështimi strukturor, ndërsa qindra të tjera kanë kaluar jetëgjatësinë e projektimit dhe kanë marrë vetëm mirëmbajtje minimale. Rrjeti kombëtar përfshin 803 ura, shumë prej të cilave janë ndërtuar me standarde të vjetra dhe për ngarkesa më të ulëta nga ato që përballen sot. Në këtë kuadër, rasti i Dragostunjës shihet si simptomë e një problemi më të gjerë, jo si përjashtim.

 

Ndryshimet klimatike rrisin presionin

Shqipëria është ndër vendet më të ekspozuara ndaj përmbytjeve, tërmeteve dhe rrëshqitjeve. Erozioni i lumenjve dëmton themelet e urave, rrëshqitjet destabilizojnë akseset dhe reshjet intensive tejkalojnë kapacitetet hidraulike të projektimit. Pa integrimin e këtyre faktorëve në projektim dhe monitorim, ndërhyrjet mbeten të përkohshme.

 

Dragostunja u përball me një kombinim faktorësh gjeologjikë dhe klimatikë, në një segment që prej ditësh shfaqte lëvizje masive dheu, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave parandalues.

 

Mungesa e mirëmbajtjes sistematike

Një nga problemet kryesore të evidentuara është mungesa e një buxheti të dedikuar për mirëmbajtje periodike. Ndërhyrjet kryhen shpesh pas ngjarjeve ekstreme, jo mbi bazë planifikimi shumëvjeçar. Sistemi ekzistues i menaxhimit të urave mbetet i kufizuar, pa module të avancuara për analizë risku dhe planifikim financiar.

Në këto kushte, edhe investimet e reja rrezikojnë të jenë të pamjaftueshme nëse nuk shoqërohen me monitorim të vazhdueshëm dhe mirëmbajtje të strukturuar.

 

Investim transformues apo reagim emergjent?

Faza e parë e programit synon rehabilitimin ose rindërtimin e rreth 15 urave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Faza e dytë do të vazhdojë me 15 ura të tjera dhe operacionalizimin e plotë të sistemit të menaxhimit të aseteve.

 

Megjithatë, raste si Dragostunja tregojnë se hendeku mes projektit në letër dhe realitetit në terren mbetet i madh. Nëse sistemi i ri i menaxhimit dhe auditimet e reziliencës klimatike nuk zbatohen me rigorozitet, fondet mund të adresojnë vetëm emergjencat, pa zgjidhur rrënjësisht problemin.

 

Një test për reformën infrastrukturore

Shembja e Dragostunjës ngre pyetje thelbësore mbi inventarizimin e riskut, prioritetet e ndërhyrjes dhe inspektimet strukturore. Nëse ura ishte e identifikuar si problematike, atëherë çështja është reagimi. Nëse jo, problemi lidhet me monitorimin.

 

Rasti rikujton se infrastruktura degradohet për vite me radhë dhe kërkon menaxhim sistematik. Pa një reformë të thelluar të mirëmbajtjes dhe planifikimit, edhe kreditë shumëmilionëshe mund të rezultojnë të pamjaftueshme për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë.

 

Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat